links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com

Histori / Histori e popullit shqiptarë / Ilirët

KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com

Shih përmbajtjen e plotë

P A R A T H Ë N I E
ILIRËT – KREU I - ILIRËT – KREU II - ILIRËT – KREU III
ILIRËT – KREU IV - ILIRËT – KREU V - ILIRËT – KREU VI
ILIRËT – KREU VII - ILIRËT – KREU VIII

K R E U VIII
ILIRIA NË PERIUDHËN E ZGJERIMIT DHE TË RËNIES
SË PERANDORISË ROMAKE

1. GJENDJA EKONOMIKO-SHOQËRORE DHE ADMINISTRIMI I ILIRISË NË SHEK. I-III E.SONË

Shteti romak si gjatë luftërave, ashtu edhe pas mbarimit të tyre u mor me organizimin administrativ të viseve të pushtuara, të cilin e kreu në disa etapa dhe me ndryshime sipas koniunkturave që krijoheshin herë pas here dhe në pajtim me mundësitë që kishte vetë shteti romak. Qëllimi kryesor i organizimit administrativ të Ilirisë, ka qenë përforcimi i pushtetit romak, me anë të të cilit do të kalohej në një administrim e shfrytëzim më racional e sistematik të provincave ilire. Kjo ka ndodhur në periudhën e fundit të Republikës së Romës dhe në mënyrë të veçantë me krijimin e perandorisë. Këtij qëllimi i shërbyen masa të tilla si konfiskimi i tokave dhe ndryshimet në pronësinë tokësore, shndërrimi i disa qyteteve në koloni romake dhe ngulimet e një popullsie italike e orientale, zhvillimi i teknikës dhe i prodhimit, shfrytëzimi i minierave dhe ndërtimi e rindërtimi i rrugëve dhe në përgjithësi situata e rëndë që iu imponua ilirëve, veçanërisht duke filluar nga shek. I e.sonë.
Bashkë me këtë politikë Roma bëri përpjekje të mëdha për asimilimin, “romanizimin” e popullsisë ilire, por pa arritur rezultate të dukshme.

Marrëdhëniet agrare. Krijimi i latifondeve

Që në shek. I p.e.sonë, por në mënyrë të veçantë pas shek. I e.sonë, shteti skllavopronar romak filloi zbatimin në viset ilire të një politike agrare, në thelb të së cilës ishte marrja me forcë, konfiskimi i tokave më të mira e pjellore, të cilat i shpalli “ager publicus”, prona të shtetit romak. Një pjesë të madhe të tokave të konfiskuara Roma ua dha qytetarëve romakë, kolonistëve romakë e italikë dhe veteranëve të ushtrisë, të cilët banonin në periferinë e qyteteve, duke i shndërruar në toka të qyteteve që qenë kthyer në koloni e në municipe. Por nga fondi i tokave të grabitura morën prona edhe përfaqësuesit e aristokracisë tokësore; në këtë mënyrë në Iliri u krijuan ekonomitë e mëdha bujqësore, latifondet. Latifondet gjendeshin kryesisht në fushat, zonat e ulëta kodrinore dhe në luginat e ulëta të lumenjve, më tepër pranë rrugëve të mëdha, sepse ato furnizonin me prodhime bujqësore qendërbanimet e mëdha. Nga burimet e shkruara del se zotërime të mëdha tokash, latifonde ka pasur në krahinat bregdetare dhe në fushat e brendshme. Përreth Buthrotit ka pasur prona të mëdha tokësore Pompon Atiku, që i përkiste parisë skllavopronare romake, kurse në rrethet e kolonive të Ulpianës e të Skupit, në Dardani, zotëronte prona të gjera tokësore familja patrice romake e Turëve.
Me gjithë konfiskimet tokësore pushtuesit romakë i lanë toka edhe popullsisë ilire dhe në këtë drejtim vepruan sipas qëndrimit që mbanin kundrejt fiseve të ndryshme. Në mënyrë të veçantë pronat tokësore të vendasve u ruajtën në viset e brendshme ilire, ku në shekujt e parë të erës sonë, një pjesë e madhe e popullsisë jetonte, ende në fshatra, e organizuar në bashkësi fshatare. Pjesëtarët e këtyre bashkësive fshatare, krahas pronës së përbashkët, kullotave, djerrinave e pyjeve zotëronin ngastra toke, të cilat i punonin vetë, me mjetet e tyre.
Skllavopronarët romakë, pas tyre dhe paria ilire, vazhduan të konfiskonin tokat duke bërë përpjekje të reja për t’i rritur pronat e tyre tokësore. Të dhënat mbishkrimore tregojnë se në fillim të shek. II të erës sonë, territori bujqësor i qytetit të Dyrrahut arrinte deri në Skampin (Elbasan) që ishte një fshat “vicus” i varur nga Dyrrahu. Mbishkrimet latine, të zbuluara në fshatra të ndryshme të fushës së Tiranës dhe që i takojnë shek. I të erës sonë mbajnë emra jo ilire, çka do të thotë se edhe në këtë zonë pronat bujqësore u ishin marrë vendësve. Në lidhje me grabitjen e tokave të bashkësive fshatare vendëse me shumë interes është një mbishkrim i shek. II të erës sonë i zbuluar në tokat e orestëve, që banonin në krahinat kufitare juglindore ilire. Në këtë dokument mbishkrimor, i gjetur pranë Vatinës, theksohet e drejta e njohur e orestëve për zotërimin e tokave shtetërore në territorin e qytetit Vatina. Në mbishkrim theksohet gjithashtu se nga kjo e drejtë përjashtohen “të huajt”, në këtë rast pronarët romakë të tokave që kërkonin të zgjeronin pronat e tyre tokësore. Një organizim të ngjashëm me orestët, pra edhe marrëdhënie agrare të ngjashme me ta kanë pasur edhe dasaretët. Një veçanti e krahinave të banuara nga orestët, dasaretët dhe popullsitë e tjera malësore të Ilirisë Juglindore është mungesa, në gjetjet arkeologjike, e dokumenteve mbishkrimore në gjuhën latine. Kjo mungesë mund të shpjegohet vetëm me një status të posaçëm të këtyre krahinave ilire.
Marrëdhëniet e reja agrare të vendosura në Iliri gjatë sundimit romak e keqësuan shumë gjendjen sidomos të asaj pjese të fshatarësisë ilire që i ishin grabitur tokat. Fshatarët e mbetur pa tokë u detyruan të iknin dhe të kërkonin punë si argatë në qytetet dhe në minierat. Ata që mbeteshin në fshat për të jetuar, u shtrënguan të punonin si mëditës - arrendatorë - në pronat tokësore të qyteteve dhe të latifondistëve romakë. Në veprën e tij “Mbi ekonominë fshatare” shkrimtari romak Varroni shkruan për ekzistencën në shek. I të erës sonë të fshatarëve të varur, të skllavëruar në borxhe, të cilët ai i quan “obaerati”, që sipas tij gjendeshin me shumicë në Iliri dhe punonin në vende e në kushte të vështira. Edhe gjendja e fshatarëve të lirë nuk ishte aspak e mirë; mbi ta rëndonin taksa e detyrime të ndryshme, të cilat i çuan në shkatërrim të plotë. Shumë prej fshatarëve të shpronësuar, në pamundësi për të përballuar jetën hynin në borxhe, shpeshherë duke u kthyer edhe në skllevër. Skllevërit në përgjithësi i bënin punimet bujqësore në latifondet dhe në pronat tokësore të qyteteve.
Zhvillimi i ekonomive bujqësore në territoret e konfiskuara nga qytetet, rritja e pronave të mëdha tokësore e shpejtoi procesin e zëvendësimit të pronës së përbashkët (prona kolektive u bë pronë e “shtetit romak”) me atë private dhe pati si pasojë shtrirjen dhe thellimin më tej të marrëdhënieve skllavopronare në fshatin ilir. Ky proces preku edhe pronat e vogla private në ato vise që hynin nën administrimin e qyteteve ose ku kishte mundësi të zhvilloheshin latifondet. Më pas u bënë përpjekje për t’i shtrirë marrëdhëniet e reja agrare edhe në viset e brendshme. Megjithatë, në krahinat e brendshme ilire vazhdoi të ruhej edhe prona e vogël tokësore dhe fshatarët e lirë. Në këto krahina blegtoria, krahas bujqësisë, mbeti një degë e fuqishme e ekonomisë së popullsisë ilire.

Qytetet

Duke filluar nga shek. I i e.sonë në krahinat ilire ndodhën ndryshime edhe në jetën qytetare. Këto ndryshime u bënë natyrisht në pajtim me traditat vendase të urbanizimit dhe me kushtet e reja politiko-ekonomike të krijuara në tre shekujt e parë të erës sonë.
Kështu në Ilirinë e Jugut dhe në Epir, gjatë shekujve të mësipërm nuk u ngritën qytete të reja, madje në krahasim me periudhën pararendëse numri i tyre u pakësua. Nuk kanë të bëjnë me procesin e urbanizimit të asaj kohe, disa kështjella (castra), me karakter thjesht ushtarak, të cilat u ngritën gjatë rrugëve më të rëndësishme.
Me pushtimin romak dhe me organizimin administrativo-ekonomik provincial pjesa më e madhe e qyteteve autoktone nuk i kishin më funksionet ekonomike e politike që kishin pasur më parë dhe, duke mos pasur mundësi të zhvilloheshin më tej, filluan të bien. Në kushte të tilla banorët e disa qyteteve e qytezave të fortifikuara ilire braktisën vendbanimet kodrinore-malore dhe zbritën në fushë. Disa prej tyre, megjithëse u kthyen administrativisht në gjendjen e fshatrave, nuk kanë pushuar së qeni qendra qytetare, të tjerat u bënë vendbanime fshatare duke u marrë kryesisht me bujqësi. Pati edhe ndonjë qendërbanimi të fortifikuar ilire, që duke pasur qysh në fillim karakter mbrojtës u shndërrua si qendër e një garnizoni ushtarak romak.
Shpëtuan nga rrënimi për dy-tre shekuj pak qytete që përfituan nga politika e diferencuar që zbatuan në fillim autoritetet pushtuese romake. Kjo politikë mbështetej në qëndrimin proromak të disa qyteteve gjatë periudhës së luftërave iliro-romake dhe ndikohej nga fakti se romakët për një farë kohe nuk qenë në gjendje të qeverisnin drejtpërdrejt të gjitha krahinat bashkë me të gjitha qytetet e pushtuara. Në krye të këtyre qyteteve ishte ai i Apolonisë, ku u ruajtën krahas autonomisë së brendshme edhe traditat kulturore-artistike helenistike, gjuha greke dhe punishtja monetare, ku priteshin monedha deri në fillim të shek. III të erës sonë. Statusin e vjetër dhe një autonomi të brendshme ruajtën edhe qytetet Amantia e Foinike.
Një impuls të ri në zhvillimin e tyre ekonomik e kulturor patën në të gjithë Ilirinë qytetet që morën statusin e kolonisë dhe të municipit. Në Ilirinë e Jugut koloni romake u bënë Skodra, Dyrrahu, Bylisi dhe Buthroti, kurse në Ilirinë e Veriut dhe të brendshme si koloni të rëndësishme qenë Narona, Salona, Jader, Epidauri dhe Skupi. Të dhënat që kemi për këto koloni tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së tyre përbëhej nga italikë të ardhur aty, nga veteranë të legjioneve romake dhe banorë me prejardhje nga Lindja. Kjo popullsi, pavarësisht nga përbërja etnike, kishte të drejtën e qytetarisë romake dhe formonte shtresën më të pasur të qyteteve. Në duart e saj ishin përqendruar postet më të rëndësishme administrative. Mbajtja e tyre, që konsiderohej detyrë nderi, ishte e lidhur edhe me detyrime në fushën e ndërtimeve, të zbukurimit të qyteteve etj. Përfaqësuesit e shtresës së pasur, kalorët, financonin shfaqje teatrale, garat sportive dhe luftërat e përgjakshme të gladiatorëve. Të hollat për të gjitha këto nxirreshin nga puna e skllevërve dhe e masës së gjerë të popullsisë së varfër.
Në përbërjen e shtresave të larta ka pasur edhe ilirë të pasur, përfaqësues të shtresës skllavopronare ose të parisë së vjetër fisnore, të cilët kishin marrë qytetarinë romake. Në një situatë të tillë, paria provinciale ilire, si një shtresë e privilegjuar, e cila më të shumtën i përkiste shtresës së kalorëve dhe prej nga dilnin edhe komandatë ushtarakë, u bë një përkrahëse e shtetit romak, sepse ajo shihte te pushteti i fortë perandorak mbrojtësin e interesave të saj.
Shtresat e tjera të popullsisë së lirë, me të drejta qytetare, përbëheshin nga pronarët e vegjël të tokave, zejtarët e tregtarët. Banorët vendës që në to kanë qenë të paktë, sepse qenë dëbuar që në fillim, madje edhe nga zonat periferike bujqësore, nuk kishin të drejta politike dhe kryenin punë të rënda si punëtorë krahu, druvarë, barinj etj.
Kolonitë, bashkë me municipet, kanë qenë baza ekonomike të Romës dhe njëkohësisht bërthama përçuese të politikës së asimilimit të popullsisë ilire. Veprimtaria ekonomike e kulturore e tyre ka qenë e lidhur ngushtë me Romën e modelet romake dhe gjuha zyrtare e tyre ka qenë gjuha latine.
Institucionet municipale ishin të njëjta në të gjitha qytetet-koloni të Ilirisë dhe ishin organizuar sipas shembullit të Romës. Organ drejtues ka qenë këshilli i qytetit ordo decuriorum, i cili vendoste për çështjet më me rëndësi. Pushteti ekzekutiv ushtrohej nga një kolegj prej dy magjistratësh të lartë, të zgjedhur për 5 vjet, duumviri quinquennales. Funksionarë të tjerë të qytetit ishin edilet (aediles), të cilët kujdeseshin për ndërtimet publike e furnizimin e popullsisë, kuestorët (questores), që kishin nën kontrollin e tyre arkën e shtetit. Në administrimin e qytetit një detyrë e lartë ka qenë detyra e mbrojtësit ose e patronit të kolonisë (patronus coloniae), i cili ishte i ngarkuar nga perandori për të mbrojtur interesat e saj.
Në krahinat ilire, përveç qyteteve-koloni në shekujt e parë të erës sonë një rol të rëndësishëm kanë luajtur disa qendërbanime të vogla të quajtura municipe, të cilat kanë pasur një vetëqeverisje më të kufizuar. Municipet zotëronin gjithashtu prona tokësore në periferinë e afërt; zejtaria e tregtia nuk kanë qenë aq të zhvilluara dhe në përgjithësi në këto qendërbanime nuk ka pasur institucione, që ishin karakteristike për kolonitë. Municipe ka pasur edhe në viset e brendshme, disa prej të cilave kanë qenë lidhur me minierat. Një municip i tillë ka qenë Ulpiana në Dardani (afër Prishtinës), e ngritur në fillim të shek. II të erës sonë pranë një qendre minerare, që u bë shpejt qendra kryesore e krahinës. Në municipet e zonave të brendshme popullsia ishte thuajse tërësisht vendase, në to puna e skllevërve ka qenë përdorur fare pak, për të mos thënë aspak, kurse banorët ilirë në pjesën më të madhe të tyre kanë qenë marrë me bujqësi e blegtori. Në këto qendërbanime u ruajtën më të forta traditat e lashta vendëse dhe politika asimiluese e shtetit romak gjeti një kundërshtim e një qëndresë më të madhe se në rajonet bregdetare.
Burimet e shkruara antike tregojnë për ekzistencën në Iliri të disa qendërbanimeve të vogla të fortifikuara, të cilat i quajnë castella ose oppida (kështjella apo qyteza), banorët e të cilave nuk kishin të drejtën e qytetarisë romake. Këto kështjella e qyteza ilire ishin edhe qendra të njësive krahinore të brendshme civitates-ve, ku qenë vendosur paria vendase dhe autoritetet provinciale të perandorisë që zbatonin politikën sunduese të saj.

Zejtaria, tregtia dhe komunikacioni

Zhvillimi i mëtejshëm i qyteteve dhe lulëzimi i jetës qytetare në shekujt e parë të erës sonë në provincat ilire ka qenë i lidhur ngushtë me zhvillimin që morën degët e ndryshme të ekonomisë, zejtaria, tregtia dhe bashkë me ta rrjeti i komunikacionit. Me gjithë ngritjen që pati në dy shekujt e parë të perandorisë provinca e Maqedonisë, ku qenë përfshirë edhe Iliria e Jugut dhe Epiri, këto nuk arritën gjendjen që kishin pasur në kohën kur qenë të pavarura. Ndryshe prej tyre, në krahinat e brendshme e të veriut, në Dalmati, Panoni, Dardani etj., vendosja e mënyrës antike (romake) të prodhimit u pasua nga një zhvillim ekonomik më i lartë se ai që kishin pasur më parë.
Në këtë periudhë u zhvilluan në Iliri ato degë të zejtarive, prodhimet e të cilave ishin të destinuara për të plotësuar kërkesat e një rrethi të gjerë konsumatorësh, në radhë të parë të vendasve. Në këtë kategori hynin veglat e punës, orenditë shtëpiake, enët prej balte, qelqi dhe stolitë. Zhvillimi i metalurgjisë dhe i disa zejeve të rëndësishme u pasua me futjen në përdorim të një sërë veglash të reja pune, të cilat e shtuan edhe më tej prodhimin. Njëkohësisht vërehet edhe krijimi, sidomos në qytetet e mëdha, të punishteve, të cilat i zotëronin skllavopronarë të njohur italikë, sikurse është rasti i kandilave prej balte të pjekur të prodhuar në Bylis nga firmat e njohura FORTIS e FELIX të Italisë së Veriut, të cilat ishin llogaritur gjithashtu për tregun vendës. Nga fundi i shek. I dhe sidomos në shek. II të e. sonë bëhet i zakonshëm edhe në provincat prodhimi i kandilave me firmë, me kallëpe të sjella nga Italia. Në qytetet e mëdha ku zejtaria ka qenë më e zhvilluar zejtarët ishin të bashkuar sipas zejeve në shoqata (collegia). Disa mbishkrime të zbuluara përmendin kolegjet e zejtarëve që punonin hekurin, gurin e drurin. Shumë qytete të Ilirisë kanë qenë të njohura për prodhimin e tullave e të tjegullave, të armëve, të tekstileve etj.
Një nga degët e ekonomisë që mori një zhvillim të madh në krahinat ilire në shek. I-III të erës sonë dhe për të cilën pushtuesit treguan një zell të madh ka qenë shfrytëzimi i minierave. Pas pushtimit të Ilirisë edhe minierat e arit, të argjendit, të bakrit e të hekurit të Dalmatisë, të Dardanisë e të viseve të pirustëve u bënë prona të shtetit romak dhe patën një rëndësi të madhe për perandorinë. Shfrytëzimin e minierave perandorake ose e bënte vetë shteti ose ua jepte sipërmarrësve të vegjël romakë. Në minierat punonin, në kushte të këqija, skllevërit dhe banorët e lirë vendës. Minierat e provincave ilire filluan të shfrytëzoheshin në mënyrë intensive në shek. II e.sonë. Flori, historian i shek. I-II të e.sonë, tregon se pas kryengritjes së viteve 6-9 romakët i shtrënguan dalmatët “të gërmojnë tokën dhe të nxjerrin prej saj arin”. Më vonë minatorët dalmatë e pirustët u dërguan me forcë për të punuar në minierat e provincës së Dakisë.
Një rol jo të vogël në jetën e krahinave ilire ka luajtur edhe tregtia. Më e zhvilluar ishte tregtia që bënin qytetet si qendra të prodhimit zejtar me periferinë e tyre bujqësore dhe me viset e brendshme, në të cilën merrnin pjesë gjerësisht shtresat e gjera të popullsisë vendëse. Një zhvillim të madh mori gjithashtu tregtia tranzite dhe ajo që bëhej në Gadishullin Italik e në provincat mesdhetare të perandorisë, që ishte në duart e shtresës së tregtarëve negotiatores, të cilët u dukën në viset ilire që në gjysmën e dytë të shek. I p.e.sonë. Nga tregtia përfituan ato krahina që ishin në afërsi të qendrave të mëdha tregtare ose të përshkuara nga rrugët e mëdha të komunikacionit. Qendra të rëndësishme tregtare të kësaj kohe qenë Dyrrahu, Salona, Jader etj., në skelat e të cilave shkarkoheshin mallra të ndryshme që drejtoheshin nga perëndimi në lindje dhe anasjelltas. Sipas një burimi të shkruar, nga krahinat dardane eksportohej djathë, kurse Dalmatia, përveç djathit, eksportonte lëndë druri të përshtatshme për ndërtime dhe hekur.
Qytetet dhe qendërbanimet e rëndësishme të provincave ilire të kësaj kohe kanë qenë lidhur me rrugë. Shteti romak, fill pas pushtimit të tyre, nisi ndërtimin e rrugëve të reja dhe rregullimin e rrugëve të vjetra. Një rrugë e njohur dhe e rrahur ka qenë rruga Egnacia (e ndërtuar fill pas formimit të provincës së Maqedonisë (mesi i shek. II p.e.sonë), mbi rrugën më të vjetër të Kandavisë), e cila duke u nisur nga Dyrrahu e Apolonia dhe duke kaluar nëpër Thesalonik arrinte në Bizant (Kostandinopojën e mëvonshme), pasi kishte përshkuar një pjesë të mirë të krahinave jugore të Ballkanit. Sipas Strabonit, rruga Egnacia ka qenë e gjatë 553 milje, afërsisht 830 km. Ajo ishte rruga më e shkurtër dhe më e sigurt midis Italisë së Jugut, Greqisë Veriore, Maqedonisë e Azisë së Vogël. Një rrugë e rëndësishme transballkanike ka qenë edhe ajo që nisej nga bregdeti jugor i Adriatikut, kalonte nëpër Lis, kapërcente Drinin dhe dilte në Dardani duke arritur në Nais. Në Nais ajo lidhej me rrugën që vinte nga Veriu (Danubi), nga Singiduni e Viminaci dhe që mbaronte në Thesalonik. Rrugë të tjera të dorës së parë kalonin gjatë bregdetit për në veri dhe për në jug. Të dhëna më të plota për këto rrugë gjenden në itineraret (lista rrugësh e harta grafike, të hartuara që në fillim të shek. III e.sonë), që janë një burim i çmueshëm për rrugët e lashta, ku jepen edhe emrat e vendbanimeve dhe situata gjeografike. Mjetet e nevojshme për ndërtimin e rrugëve dhe krahët e punës romakët i nxirrnin nga popullsia vendase. Gjatë këtyre udhëve ka pasur vende për këmbimin e kuajve (mutatio) dhe stacione të posaçme me bujtina (mansio).

Organizimi administrativ i Ilirisë

Në fund të shek. I.p.e.sonë u krijua provinca e Ilirikut (Illyricum), ku qenë përfshirë krahinat e Ilirisë Veriore. Provinca e Ilirikut përfshinte një territor shumë të gjerë: në veri arrinte deri në Danub, kurse në jug deri te lumi Mat; në lindje provinca e Ilirikut shtrihej në qendër të Ballkanit, duke përfshirë në përbërjen e saj edhe territorin e Serbisë së sotme. Ndryshimet që ekzistonin midis krahinave perëndimore bregdetare dhe atyre të brendshme malore bënë të nevojshëm krijimin në pjesën qendrore të Ilirisë të një province tjetër. Provinca e Mëzisë - me këtë emër u quajt provinca e re - përfshinte edhe Dardaninë, e cila deri atëhere kishte bërë pjesë në provincën e Maqedonisë.
Kryengritjet dhe në përgjithësi kundërshtimi që iu bë pushtimit në viset ilire, sidomos në ato të provincës së Ilirikut e detyruan shtetin romak të rishikojë marrëdhëniet me provincat dhe të riorganizojë aparatin administrativ. Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të e.sonë provinca e Ilirikut u nda më dysh: në jug u krijua provinca e Dalmatisë dhe në veri ajo e Panonisë. Në etapën e fundit të organizimit administrativ të provincave ilire, nga Perandoria e hershme Romake (shek. II e.sonë), u krijua provinca e Epirit, ku u futën krahinat ilire në jug të Vjosës, i gjithë Epiri dhe Akarnania e Etolia, në jug të tij.
Provincat e nënshtruara e të qetësuara në një farë mënyre, ishin nën mbikëqyrjen e senatit romak, kurse provincat që kishin rëndësi strategjike, ku gjendja ishte e pasigurt dhe ku ishte e nevojshme të mbaheshin reparte ushtarake, vareshin drejtpërdrejt nga perandori. Në Iliri provinca perandorake ishin Panonia, Dalmatia, Mëzia e Epiri, kurse Maqedonia ishte provincë e varur nga senati.
Në krye të provincave qëndronin sundimtarë të posaçëm, mëkëmbësit, të cilët sipas rëndësisë së provincave ishin të rangjeve të ndryshme. Në provincën perandorake të Dalmatisë, mëkëmbësi ishte në rangun e konsullit (legatus) (Augustipropraetore). Provinca e Epirit hynte në grupin e provincave të dorës së dytë dhe sundohej nga mëkëmbës që vinin nga shtresa e kalorëve romakë. Në krye të provincës së Maqedonisë kanë qenë vënë senatorë në rangun e propretorit.
Mëkëmbësit emëroheshin në administrimin e provincës për një vit, duke pasur edhe funksionin e lartë gjyqësor dhe politikën fiskale. Në provincat ku mbaheshin reparte ushtarake ata kishin në dorë edhe pushtetin ushtarak. Mëkëmbësit kanë qenë zotër të vërtetë të provincave dhe kanë pasur një pushtet të pakufizuar. Veprimtaria e mëkëmbësve në provincat ka qenë jashtë çdo kontrolli, ata kishin në duart e tyre jetën e banorëve të provincave dhe shfrytëzonin postin e tyre për interesat vetjake, duke shtuar pasurinë e tyre me anë të grabitjeve sistematike. Në përgjithësi veprimet e mëkëmbësve të provincave karakterizoheshin nga një arbitraritet i theksuar. Shembull i abuzimeve dhe i plaçkitjeve të sundimtarëve romakë, i shthurjes dhe i paligjshmërisë së plotë në provincat, ishte bërë provinca e Maqedonisë, gjatë sundimit të mëkëmbësit romak Kalpurn Pizonit, në vitet 57-55 p.e.sonë. Në një ligjëratë të mbajtur kundër Pizonit, oratori i njohur romak Ciceroni, e ka përshkruar gjendjen e krahinave ilire në provincën e Maqedonisë të asaj kohe me këto fjalë: “Dyrrahu e Apolonia të shkatërruara... parthinët e bylinët të gënjyer, Epiri krejt i shkatërruar ... të gjithë kanë provuar se ti kishe ardhur vetëm për t’i vjedhur, plaçkitur, keqpërdorur dhe trajtuar si armiq...”.
Në provincat ilire mëkëmbësit kishin mjaft nëpunës ndihmës, midis tyre ishin kuestorët që merreshin me financat, prokuratorët që drejtonin degë të ndryshme të ekonomisë dhe legatët që kryenin detyrat e tyre në ushtri dhe në gjyqe. Një detyrë themelore e mëkëmbësve dhe e ndihmësve të tyre ka qenë mbledhja e taksave nga popullsia ilire. Shteti romak kishte përpunuar një sistem të hollësishëm të nxjerrjes së taksave dhe të detyrimeve të tjera në popullsitë e viseve të pushtuara. Taksat kryesore kanë qenë ato që paguheshin për tokën dhe ato për frymë (tributum soli dhe tributum capiti). Baza e sistemit fiskal romak ka qenë regjistrimi i pasurisë. Me caktimin e taksave janë marrë prokuratorët, të cilët i caktonin ato sipas të ardhurave, sipërfaqes dhe cilësisë së tokës. Këto taksa, në fillim i paguanin vetëm banorët vendës, të cilët romakët i quanin “peregrini” (të huaj). Më vonë taksat u shtrinë edhe mbi qytetarët romakë të vendosur në provincat ilire.
Përveç taksave të drejtpërdrejta, popullsia vendëse ka qenë e shtrënguar të paguante edhe taksa të tjera të tërthorta, që merreshin pjesërisht në të holla e pjesërisht në natyrë, si p.sh. taksën për ndërtimin e rrugëve, për pyllin, për peshkimin dhe taksën doganore. Taksa doganore apo e kufirit paguhej për disa mallra të importuara që kalonin nëpër rrugët tokësore lumore ose detare nga një njësi administrative-doganore në tjetrën. Një njësi doganore më vete përbënte Iliriku (portorium Illyrici), në të cilën qenë përfshirë provinca e Dalmatisë, e Panonisë, e Mëzisë, e Norikut dhe më vonë provinca e Dakisë. Nga banorët e provincave ilire nxirreshin shuma të mëdha në të holla për mbajtjen e administratës romake dhe të reparteve ushtarake të dislokuara në to. Të gjitha taksat e abuzimet e nëpunësve romakë rëndonin thuajse tërësisht mbi popullsinë e thjeshtë. Përfaqësuesit e pushtetit perandorak, legatët, prokuratorët, fajdexhinjtë e tregtarët italikë i shihnin provincat si objekt grabitjeje. Një nga provincat që u shkatërrua shpejt nga veprimtaria grabitqare e sundimtarëve romakë ka qenë provinca e Maqedonisë. Pasiguria e krijuar në këtë provincë, kundërshtimet dhe kryengritjet e banorëve të saj kundër qeveritarëve romakë, bënë që më vonë ajo të kthehej nga një provincë e administruar nga senati në një provincë perandorake.
Grabitjet dhe barra e rëndë e taksave kanë qenë më të theksuara në krahinat bregdetare dhe në ato të përshkuara nga rrugët e mëdha të komunikacioneve, ku kishte gjithfarë nëpunësish romakë. Në viset e brendshme dhe në krahinat malore të provincave ilire, pushtuesit romakë nuk mund të vendosnin marrëdhënie të tilla vartësie as edhe të nënshtronin plotësisht banorët vendës ndaj autoriteteve shfrytëzuese të perandorisë. Shumë krahina e bashkësi territoriale ruajtën për një kohë të gjatë një vetadministrim të brendshëm. Këto bashkësi, të quajtura civitates, ishin të përbëra nga qendërbanime të vogla e fshatra që kishin përreth tyre një territor bujqësor të gjerë, që shtrihej në kufijtë e vjetër të popullsive ilire dhe që ishte pjesërisht tokë private dhe pjesërisht pronë e përbashkët. Në krye të civitates-ve ka pasur një prefekt (praefectus civitatis) që zakonisht zgjidhej midis ushtarakëve të reparteve të afërta. Në këto bashkësi prefektët ushtronin autoritetin e tyre në emër të shtetit romak, pa pëlqimin e të cilit nuk mund të merrej asnjë vendim. Më vonë oficerët romakë u zëvendësuan nga përfaqësues të parisë vendëse që kishin marrë qytetarinë romake. Duke organizuar bashkësitë vendëse sundimtarët romakë, mundën të siguronin një farë kontrolli mbi popullsinë vendëse dhe ta tërhiqnin atë në jetën e shtetit romak. Në burimet mbishkrimore përfaqësuesit e parisë ilire të vënë në krye të bashkësive autonome, si p.sh. te dalmatët, japodët, desidiatët e dokleatët, janë quajtur praepositi (kryetarë). Pranë tyre ka pasur edhe një këshill fisnor, i përbërë nga përfaqësues të ndryshëm të parisë vendëse, principes, që ishin gjithashtu njerëz të besuar të Romës. Kjo shtresë e parisë ilire erdhi gjithnjë duke u kufizuar; nga gjiri i saj kanë dalë më vonë ata që bënë përpjekjet e fundit, por pa rezultat, për të mëkëmbur perandorinë e hershme romake dhe për të mbajtur gjallë skllavopronarinë që ishte në shthurje e sipër.
Për të lehtësuar sundimin e tyre romakët krijuan krahina të mëdha gjuhësore-administrative, të quajtura kuvende (conventus provinciae). Në provincën e Dalmatisë ka pasur tri kuvende. Në kuvende merrnin pjesë përfaqësuesit e shtresave sunduese të qyteteve dhe të parisë ilire të bashkësive territoriale; midis tyre zgjidhej për një vit, kryetari i kuvendit dhe prifti i kultit të perandorit.

2. ILIRIA NË PERIUDHËN E RËNIES SË PERANDORISË ROMAKE

Historia e ilirëve gjatë shek. IV, V e VI e. sonë, një periudhë që ka të bëjë me krizën e sistemit antik të prodhimit dhe me rënien e Perandorisë Romake, ndryshe nga ajo e tre shekujve të parë të erës sonë ka mbetur më pak e studiuar. Vëmendjen e studiuesve për këtë periudhë e kanë tërhequr sulmet e “barbarëve” dhe luftërat që Perandoria Romake dhe më pas perandoria e hershme bizantine kanë bërë për mbrojtjen e kufijve veriorë. Nuk ka munguar interesimi i historiografisë së huaj edhe për “perandorët ilirë”, të cilët bënë përpjekje për t’ia zgjatur jetën Perandorisë Romake dhe njëkohësisht rendit skllavopronar në rënie e sipër.
Kjo është, në historinë e ilirëve, një periudhë plot me ngjarje të rëndësishme, në të cilën ndodhën invazione e dyndje popujsh të ndryshëm, që u shoqëruan me ndryshime në përbërjen etnike të popullsive ballkanike. Shekujt IV-VI janë jo vetëm periudha e përballimit me sukses të invazioneve barbare, por edhe periudha e rigjallërimit të ilirëve pas rënies së Perandorisë Romake, rigjallërim që shfaqet në shumë aspekte të jetës e të kulturës së tyre. Ndryshe nga ajo e veriut, popullsia ilire e trevave jugore u qëndroi dyndjeve dhe invazioneve “barbare” duke ruajtur fizionominë e vet etnike. Kjo me të drejtë është njohur si një premisë themelore historike e etnogjenezës së popullit shqiptar, sepse në këtë trevë, në mesjetën e hershme, u mbrujt kombësia shqiptare.

Kriza e sistemit antik të prodhimit dhe e Perandorisë Romake

Duke filluar nga shek. III e. sonë, në Perandorinë Romake mënyra antike e prodhimit i kishte shteruar mundësitë e saj për një zhvillim të mëtejshëm dhe filloi të shkonte drejt rënies. Skllavëria nuk sillte të ardhura si më parë. Rendimenti i skllevërve, që nuk kishin asnjë nxitje për punë, bëhej gjithnjë e më i pakët, kurse shfrytëzimi i tyre më pak i leverdisshëm dhe skllevërit e tepërt ishin bërë një barrë e rëndë për pronarët e tyre. Marrëdhëniet e vjetra po bëheshin një pengesë në rrugën e zhvillimit shoqëror. Filloi kështu kriza e përgjithshme e sistemit antik të prodhimit.
Në fushën e ekonomisë kriza u shfaq me rënien e prodhimit, me varfërimin e masave të gjera të popullsisë, dobësimin e lidhjeve tregtare midis krahinave e provincave të ndryshme. Në shumë qytete pati një ulje të nivelit të jetës, çka është vërejtur edhe në zbulimet arkeologjike. Me rënien e qendrave të mëdha zejtare banorët e provincave nisin t’i prodhojnë në vend sendet për të cilat kishin nevojë, por kësaj radhe për një rreth të ngushtë konsumatorësh. Në gjendjen e krijuar duke filluar nga shek. IV u rrit edhe më shumë roli i bujqësisë. Ajo u bë dega vendimtare e prodhimit në gjithë botën antike. Ekonomia e latifondeve, që ishte bazuar në punën e skllavit nuk sillte më të ardhura ndaj, ekonomia e vogël u bë përsëri e vetmja formë e bujqësisë që sillte fitime.
Banorët e provincave mbetën gjithnjë nën presionin e vazhdueshëm të taksave, prej të cilave nëpunësit perandorakë kërkonin të nxirrnin burime të ardhurash sa më të mëdha. Burimet e shkruara antike përmendin Probin, sundimtarin e Ilirikut, i cili që nga fundi i shek. III e.sonë, duke mbledhur taksat në mënyrë të padrejtë, i kishte dobësuar krahinat veriore ilire, para se ato të shkatërroheshin nga barbarët.
Një shenjë tjetër e krizës ishte edhe dobësimi i pushtetit qendror në perandori. Gjendja e keqe e popullsisë qytetare e fshatare u bë shkak për shpërthimin e kryengritjeve. Në kryengritjet me skllevërit e kolonët u bashkuan si fshatarët e varfër, dhe vegjëlia e qyteteve. Lufta e tyre e tronditi thellë regjimin perandorak. Shpeshherë perandorët e sundimtarët për të shtypur kryengritjet e popullsive të provincave kërkonin ndihmën e barbarëve. Kështu veproi perandori Honor me gotët e udhëhequr nga Alariku: në vitin 395 e. sonë kishin ngritur krye taulantët dhe duke mos qenë në gjendje të shtypte “kryengritjen e shtetasve të tij”, Perandori dërgoi kundër ilirëve vizigotët që ishin futur asokohe në Ballkan.
Në acarimin e krizës së përgjithshme të sistemit antik të prodhimit një rol jo të vogël kanë luajtur sulmet e “barbarëve”. Kufijtë veriorë e verilindorë që nga shek. III e këtej filluan të sulmoheshin gjithnjë e më shumë nga fise të ndryshme “barbare”.
Një nga shfaqjet më të rënda të krizës që ndikoi në dobësimin e perandorisë ka qenë edhe prirja e qarqeve sunduese të provincave për t’u shkëputur nga pushteti qendror dhe sidomos lufta për pushtet ose lufta midis senatit e ushtrisë, midis perandorëve të senatit e perandorëve të ushtrisë, bashkë me ta edhe ndryshimet e shpeshta në fron. Mbështetja e vetme e sigurt e pushtetit perandorak u bë ushtria. Në periudhën e krizës dhe pas saj, pjesa më e madhe e ushtrisë vinte kryesisht nga popullsia fshatare e provincave. Në provincat periferike një vend të dorës së parë zinin provincat ilire, sidomos ato veriore e lindore ku ishin përqendruar njësi ushtarake të shumta dhe ku prona e vogël e tokës kishte një peshë të madhe. Ushtria, e cila vinte nga këto shtresa, u bë mburoja e fundit e perandorisë dhe filloi të luajë një rol vendimtar në ngjarjet politike të kohës. Nga gjiri i saj u krijua një pari e fortë provinciale e interesuar për ruajtjen e skllavopronarisë dhe e gatshme për të luftuar kundër skllevërve, kolonëve dhe shtresave popullore, të cilat ngrinin krye herë pas here
Në vitin 212 e. sonë, i imponuar nga fillimet e krizës dhe situata e krijuar si pasojë e saj, perandori Karakalla shpalli ediktin e tij, me anë të të cilit popullsive të provincave të konsideruara deri atëhere “të huaja” iu dhanë të drejtat e qytetarisë romake. Perandoria Romake e mori këtë masë për të zgjeruar bazën shoqërore mbi të cilën mbështetej pushteti qendror dhe për rëndësinë që kishin provincat e pasura të Gadishullit Ballkanik. Në këtë mënyrë u thellua edhe më shumë procesi i “provincializmit” dhe i “barbarizmit” të Perandorisë Romake. Masat e marra nga perandorët në shek. III dhe më vonë nuk mundën të ndalonin krizën e përgjithshme dhe të ruanin skllavopronarinë. Këtë nuk mundën ta bënin as disa nga përfaqësuesit e shtresave sunduese provinciale, të cilët arritën të bëhen edhe perandorë.
Në shekujt III-IV e. sonë, madje deri në shek. IV në krye të Perandorisë Romake kanë qenë disa perandorë me prejardhje ilire. Perandorë “ushtarë” ilirë kanë qenë: Deci, Klaudi II, Aureliani, Probi, Diokleciani dhe Konstandini. Burimet e shkruara bashkëkohëse tregojnë se këta perandorë, si përfaqësues të qarqeve sunduese provinciale, në vija të përgjithshme ndoqën një politikë, e cila synonte të forconte pushtetin e perandorit, të ruante skllavopronarinë dhe të shtypte lëvizjet kryengritëse. Ata forcuan ushtrinë dhe me anën e saj u përpoqën të mbronin kufijtë e perandorisë nga sulmet e jashtme. Figura më kryesore midis perandorëve ilirë ka qenë Diokleciani, një ilir nga qyteti Dioklea (në provincën e Dalmatisë), që sundoi në vitet 284-305. Diokleciani ndoqi të njëjtën politikë si paraardhësit e tij, por ai bëri edhe disa reforma administrative e ushtarake. Perandoria Romake u nda në katër prefektura dhe 12 dioceza. Në pjesën lindore të saj gjendej prefektura e Ilirikut, e cila ndahej në tri dioceza e në disa provinca. Tokat shqiptare që nga gjysma e parë e shek. IV, qenë përfshirë në provincën e Prevalit me qendër Shkodrën, ku bënin pjesë Dalmatia e Jugut, Mali i Zi dhe Shqipëria Veriore, në provincën e Dardanisë me qendër Skupin, ku hynin pothuaj të tëra krahinat e Kosovës së sotme, në provincën e Epirit të Ri me qendër Dyrrahun, që përmblidhte krahinat e Shqipërisë Qendrore e Jugore deri te lumi Vjosa dhe në provincën e Epirit të Vjetër, me qendër Nikopolin, ku hynin tokat në jug të Vjosës deri në gjirin e Prevezës.
Me reformat e tij ushtarake Diokleciani e rriti numrin e legjioneve dhe formoi me ushtarë të zgjedhur njësi ushtarake të lëvizshme, të cilat në kohë lufte shoqëronin sundimtarët dhe në kohë paqeje qëndronin si garnizone në qytetet e kështjellat e provincave.
Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. III, por në mënyrë të veçantë gjatë shek. IV në provincat ilire u bënë ndërtime me karakter fortifikues dhe u hapën e u riparuan rrugë të ndryshme. Në radhë të parë këto punime u bënë në provincat veriore dhe shërbyen për mbrojtjen e kufijve nga sulmet e “barbarëve”. Por edhe në provincat e brendshme jugore, po për qëllime ushtarake u rifortifikuan shumë qytete dhe u ngritën kështjella të reja. Ndryshe nga ato të veriut, përveç detyrës së mbrojtjes së Perandorisë nga invazionet e “barbarëve”, që mund të hynin në Gadishullin Ballkanik, ato patën edhe një mision tjetër, shërbyen për qëndrimin e garnizoneve dhe për të përballuar kryengritjet e vendësve, të cilat u shtuan në situatën e krijuar nga kriza e rendit skllavopronar.
Reformat administrative e ushtarake dhe ndërtimet fortifikuese të bëra nga Diokleciani e vonuan pak rënien e Perandorisë Romake, por nuk mundën ta ndalonin. Në këtë drejtim një rol jo të vogël kanë luajtur provincat veriore e verilindore ilire, por ndihmuan edhe rrethanat politike, sidomos lufta kundër sulmeve të barbarëve në kufirin danubian. Kjo luftë kishte një karakter të dyfishtë për perandorët e komandantët ushtarakë ilirë, ishte një luftë për mbrojtjen e vendit të tyre, por edhe për mbrojtjen e Perandorisë me të cilin ishin lidhur ngushtë interesat e tyre.
Në sajë të disa masave që mori paria e re provinciale, duke përfshirë edhe atë ilire, u bë e mundur të përballohej për një farë kohe kriza e Perandorisë Romake. Por ato nuk mundën ta shmangnin atë.

Tiparet e krizës në provincat ilire

Shthurja e sistemit antik të prodhimit, që përfshiu gjithë perandorinë dhe që ishte arsyeja themelore e krizës së saj, nuk pati kudo përpjesëtime të njëjta. Në Lindje dhe në Ilirik, ku prona private ishte zhvilluar më ngadalë, kjo krizë nuk qe aq katastrofike sa në provincat perëndimore.
Pas shek. III e. sonë edhe në provincat ilire bujqësia fitoi një rëndësi të madhe. Në fshatin ilir, deri në fund të shek. IV e. sonë ka pasur një rritje të prodhimit bujqësor. Sipas burimeve të shkruara në Ilirik ka pasur fshatarë të pasur që kishin skllevër, të cilët ishin, kryesisht, robër lufte me origjinë gote. Në provincat ilire, për një farë kohe u gjallëruan edhe pronarët e mëdhenj të tokave, që i shtuan pronat e tyre pas rënies së qyteteve. Por latifondet qenë relativisht të pakta dhe të kufizuara në ultësirat bregdetare.
Me gjithë gjendjen e keqe që u krijua në Perandorinë Romake, në provincat ilire fshatarët e lirë mbetën edhe për një farë kohe një forcë e madhe. Për ruajtjen e popullsisë së lirë fshatare dhe për ta mbrojtur atë nga shkatërrimi prej borxheve, ishin të interesuar edhe perandorët, të cilëve u duhej si rezervë për ushtrinë dhe për taksat e ndryshme. Në zonat e brendshme malore ilire kishte edhe bashkësi fshatare, pjesëtarët e të cilave ishin zotërues tokash.
Zbulimet arkeologjike dëshmojnë për një zhvillim të bujqësisë dhe të vendbanimeve fshatare në Iliri në shek. III-IV. Veglat bujqësore prej hekuri ishin të zakonshme dhe mbizotëruese në inventaret e varreve të kësaj kohe, që u takonin vendbanimeve fshatare kryesisht të vogla. Vendbanimet fshatare u shtuan edhe në zonat e brendshme; disa prej tyre qenë lidhur me minierat e ndryshme, të cilat në kohën e krizës kishin kaluar në duart e banorëve vendas.
Në pronat bujqësore të provincave ilire filloi të shtohet numri i kolonëve, një dukuri që njihej edhe më parë. Kolonët në fillim kanë qenë qiramarrës të lirë dhe vinin kryesisht nga radhët e fshatarëve të rrënuar dhe të mbetur pa tokë. Kolonë zunë të bëheshin edhe robërit e luftës. Borxhet, që erdhën duke u shtuar i shkatërruan kolonët, fillimisht të lirë, dhe i bënë pjesë të pandarë të tokës. Në përgjithësi gjendja e kolonëve edhe në Ilirik ka qenë e keqe dhe nuk ndryshonte nga ajo e skllevërve. Në kushte të tilla kolonët braktisnin shpesh tokat dhe arratiseshin. Perandori Konstandin, me anë të një dekreti, kishte shpallur se të gjithë ata që fshihnin kolonët e ikur gjobiteshin, kurse kolonët e arratisur duhej të ktheheshin me forcë në vendbanimin e tyre. Ky ligj u përsërit disa herë, por pa sukses. Në vitin 371 të e. sonë u lëshua një urdhër i posaçëm për kolonët e Ilirikut. Tani ligjet ndalonin shitjen e kolonëve pa tokën, kështu që këta të fundit u shndërruan në një shtresë shoqërore që lidhej me tokën.
Të gjitha masat që mori perandoria në kohën e krizës në fushën e marrëdhënieve agrare kishin të bënin me politikën fiskale të saj. Taksat që paguanin pronarët e tokave caktoheshin jo vetëm sipas sipërfaqes së tokës që ata kishin, por edhe nga numri i frymëve, i njerëzve që punonin në to. Kolonët mbetën të lidhur me tokën, ata ishin paraardhësit e bujkrobërve të kohës së mesjetës.
Pas shek. III e. sonë kriza e tatëpjeta e përgjithshme pati përfshirë edhe mjaft qytete të provincave ilire, sidomos të atyre jugore, duke ndikuar në rënien e jetës qytetare, ndonëse jo në atë masë si në pjesën perëndimore të perandorisë. Qytete të rëndësishme, si Apolonia, Bylisi, Amantia, Foinike, Antigonea e ndonjë tjetër që si koloni, municip apo qytet “i lirë” i qenë përshtatur organizimit administrativ, me fillimin e krizës së sistemit antik të prodhimit e me rënien e ekonomisë morën tatëpjetën për t’u zhdukur më vonë bashkë me ato qytete ilire që kishin filluar të binin që në dy shekujt e parë të erës sonë. Disa prej këtyre qendrave të vjetra qytetare nuk mundën të qëndrojnë si të tilla edhe pse u bënë qendra peshkopatash. Një dukuri që nis të duket në shek. IV e. sonë ka qenë ngritja e gjallërimi i disa qytezave të lashta e të reja, të fortifikuara me nismën e fuqinë e popullsisë vendase, roli ekonomik i të cilave u rrit, i ndihmuar nga kriza ekonomike e politike e perandorisë.
Në rrënimin e qyteteve ndikuan faktorë të ndryshëm. Së pari, duhet theksuar rënia e pronës së vogël e të mesme bujqësore të lidhura me qytetin, të cilat kishin ruajtur deri vonë tiparet e një ekonomie skllavopronare. Gjatë shek. IV pronat tokësore të qyteteve u fortifikuan nga perandorët dhe nga kleri kristian ose kaluan në duart e pronarëve të mëdhenj. Pronat e mëdha tokësore dhe fshatrat me bashkësi të lira luanin asokohe një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të perandorisë. Në këto prona e fshatra u zhvillua edhe zejtaria, me të cilën u morën në latifondet skllevërit e kolonët dhe në fshatrat zejtarët e lirë. Pranë tyre u zhvendosën një pjesë e popullsisë së qyteteve dhe u krijuan tregjet. Qytetet humbën edhe autonominë e privilegjet e vjetra duke kaluar nën vartësinë e prokuratorëve, të cilët ishin emëruar nga sundimtarët e provincave. Edhe gjendja e shtresës së lartë qytetare ishte keqësuar shumë. Kuritë që kishin zënë vendin e dekurionëve të mëparshëm, të cilët mbanin ofiqet administrative në qytetet, u pakësuan. Ata jo vetëm që duhej të nxirrnin nga qytetet detyrimet e taksat, por ishin të detyruar të paguanin edhe vetë. Detyra e kurive u bë një barrë e rëndë; nën shtrëngimin e sundimtarëve, në disa qytete ajo u bë e trashëgueshme. Kurialët që të shpëtonin nga detyrimet e rënda largoheshin nga qytetet, duke ikur në fshat ose duke u futur në ushtri. Në gjysmën e dytë të shek. IV ndonjë perandor bëri përpjekje për të rimëkëmbur kuritë qytetare, por pa sukses. Rendi i kurive e kishte jetuar kohën e tij. Qytetet mbetën në duart e nëpunësve perandorakë, të cilët u pasuruan në sajë të shpërdorimeve që bënin në kurriz të shtresave të ulëta qytetare. Kjo gjendje vazhdoi në ato qytete që përballuan krizën.
Në provincat jugore jeta qytetare nuk u shua; pati edhe qytete, të cilat mbetën si qendërbanime të rëndësishme, sidomos në ultësirën bregdetare. Në një burim të shkruar, kur tregohet për pushtimet e bëra nga Teodoriku në provincën e Epirit të Ri thuhet: “askush nuk do të duronte që ai të mbante qytete kaq të mëdha”. Qyteti më i madh në trevën jugore ilire, i cili jo vetëm ruajti fizionominë e tij, por nga shekujt V e VI, sidomos në këtë të fundit, pati një zhvillim e lulëzim të mëtejshëm, ka qenë Dyrrahu. Ai ishte njëkohësisht edhe kryeqendër e provincës dhe seli peshkopale. Një funksion të tillë ka pasur edhe qyteti i Skodrës. Mbetën si qendra qytetare, edhe pse për një farë kohe u degraduan si kështjella me karakter më tepër ushtarak, qytetet e qytezat e lashta të Lisit, të Antipatresë, të Aulonit, të Kaninës, të Adrianopolit, të Justinianopolit, të Buthrotit etj. Në shekujt IV-VI pati edhe kështjella ushtarake që u kthyen në qendra qytetare, sikurse ndodhi me Skampinin.
Një tablo tjetër kemi në qytetet e provincave veriore dhe të brendshme ilire, të cilat kishin reparte ushtarake të shumta. Në disa qytete, si në Salona, Naisi e ndonjë tjetër ka pasur një ngritje të madhe të atyre degëve të zejtarisë që lidheshin me ushtrinë. Për këtë qëllim u zgjerua punimi i hekurit dhe punishtet për përpunimin e tij. Në provincat ballkanike prodhohej rreth 40% e armëve të ushtrisë romake. Qyteti Nais i Dardanisë ishte njëri nga qytetet ku ndodheshin punishtet e mëdha perandorake për prodhimin e armëve. Nga provincat e Dalmatisë dhe të Dardanisë, sipas një burimi të shkruar të kohës, vazhdonin të tregtoheshin si mallra të kërkuara, hekuri, druri dhe prodhimet blegtorale.
Por me gjithë zhvillimin që patën disa qytete, gjendja që u krijua në përgjithësi në qytetet e provincave ilire që kishin përballuar krizën, qe e rëndë. Kjo bëri që perandorët të merrnin disa masa për të shmangur rrënimin e shtresave të ulëta e të mesme qytetare të përbëra nga zejtarët, tregtarët, pronarët e tokave, sepse ndryshe rrezikoheshin të ardhurat shtetërore. Për këtë qëllim në qytetet e Ilirikut u krijua institucioni për mbrojtjen e shtresave të ulëta qytetare, i cili duhej të kishte pushtet në çështjet policore, juridike dhe financiare. Por këto masa nuk u zbatuan dhe gjendja e vështirë e popullsisë së qyteteve të Ilirikut nuk u përmirësua; nëpunësit perandorakë vazhduan veprimet e tyre grabitëse, sepse më vonë dolën dekrete të tjera që kishin të njëjtën frymë. Ashtu si në pronat bujqësore e në fshatrat, edhe në qytete u lëshuan urdhëresa perandorake që të siguronin pagesën e rregullt të taksave dhe furnizimin e ushtrisë me mallra e prodhime të ndryshme. Në shek. IV të gjithë zejtarët qenë shtrënguar të regjistroheshin në kolegje nga të cilat as fëmijët e tyre që trashëgonin zanatin nuk mund të largoheshin. Por si skllevërit, kolonët e fshatarët e varfëruar, edhe shtresat e ulëta qytetare nuk e duruan këtë gjendje, ndaj ngritën krye, duke u bashkuar edhe me “barbarët” që invadonin gjithnjë e më shpesh Gadishullin Ballkanik.

Provincat ilire

Me ndarjen e Perandorisë Romake në fund të shek. IV provincat ilire mbetën me perandorinë e Lindjes, Bizantin. Edhe pasi u bënë pjesë e Perandorisë Bizantine struktura ekonomiko-shoqërore e provincave ilire nuk ndryshoi. I vetmi ndryshim ishte se ato u bënë krahina periferike të perandorisë, çka ndikoi më vonë në jetën e tyre.
Në Perandorinë Bizantine, ku bënin pjesë krahina të pasura me qendra të mëdha zejtare dhe ku ruheshin fshatarët e zejtarët e lirë, kriza e skllavopronarisë nuk ishte ndjerë aq shumë. Edhe pse nuk arriti të ndalonte dyndjet e “barbarëve” në Ballkan, Perandoria Bizantine me burimet e saj ekonomike mundi të përballonte gjendjen e krijuar gjatë këtyre dyndjeve dhe të qëndronte si një shtet i madh edhe një mijë vjet të tjera. Kurse perandoria e Perëndimit nuk mundi të rezistojë para sulmeve të “barbarëve” dhe në vitin 476 ra në duart e gjermanikëve, të udhëhequr nga Odoakri.
Në shek. V-VI provincat jugore e juglindore ilire si Prevali, Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër, pas shkatërrimeve e dëmeve të shkaktuara nga invazionet barbare u mëkëmbën, madje në shek. VI patën një farë ngritjeje që u vu re në shumë drejtime.
Bujqësia mbeti edhe në këta shekuj një degë e rëndësishme e ekonomisë. Karakteri i pronave bujqësore mbeti ai që kishte qenë edhe më parë. Në disa vendime shtetërore që i takojnë vitit 535 duket shumë qartë gjendja e pronave bujqësore në Ilirik. Qëllimi i këtyre vendimeve ishte ndalimi i përpjekjeve të pronarëve të mëdhenj dhe i fajdexhinjve për t’u marrë fshatarëve borxhlinj tokat e bagëtitë. Në pronat e mëdha bujqësore figura qendrore ka qenë koloni. Në legjislacionin e asaj kohe flitet për kolonë të lirë e kolonë të varur. Të parët, krahas tokës që merrnin nga pronarët, kishin edhe ngastra e vegla të tyre, kurse të fundit ishin të lidhur pas tokës; as vetë, as edhe fëmijët e tyre nuk mund të largoheshin nga vendet ku ishin regjistruar. Më vonë, midis kolonëve nuk kishte më asnjë ndryshim çka u pasqyrua më pas edhe në legjislacion.
Edhe në shekujt V-VI në provincat