links
KeL - Kosova e lirë www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com

Radio Dukagjini






"Po iu jap një porosi,
Këmba e huaj keq iu rri,
Nuk durohet gjithë vaji i fëmisë,
Çonu të gjithë në shërbim t'lirisë."

 

 

 

 

 

 

 

 

 


Femra shqiptare / Emancipimi

SHKURORËZIMI NË KOSOVË - EMANCIPIM APO SHKATËRRIM

Prishtinë, 16 Korrik 2003 (KeL) - Gati për çdo dy kurorëzime bëhet një shkurorëzim në Komunën e Prishtinës. Rreth 340 kërkesa për zgjidhjen e martesës apo për shkurorëzim janë paraqitur në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në kryeqytet. Të dhënat që i bën të ditura Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka parasysh numrin e çifteve të cilët duan “me letra” të zgjidhin martesën e tyre. Ndërsa për periudhën e njëjtë janar-qershor janë regjistruar 820 kurorëzime në Komunën e Prishtinës, diçka më shumë se dyfishi i numrit të shkurorëzimeve në kryeqytet për këto muaj. “Numri i kërkesave që vijnë në Gjykatën tonë është në rritje, për çdo muaj kemi më shumë punë me çiftet që duan të ndahen”, thotë gjykatësi Rrahman Ratkoceri. Sipas të dhënave brenda në Gjykatë janë afër 1550 procese të filluara për shkurorëzim që nga viti 2000. Që nga ky vit kur janë paraqitur gjithsej 251 raste, për çdo vit janë shtuar rreth 140 kërkesa më shumë, dhe vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë dorëzuar 340 dosje të reja në tavolinat e institucionit që zgjidh martesat e kosovarëve.

Si gratë ashtu edhe burrat kërkojnë shkurorëzimin
“Kërkesat për shkurorëzim bëhen njësoj edhe nga gruaja por edhe nga burri, asnjë nga sekset nuk është më shumë i prirur drejt kësaj dukurie”, tregon gjykatësi Ratkoceri për barazinë e dy gjinive kur është fjala për ta kërkuar shkurorëzimin. Sipas zyrtarëve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, çiftet vendosin të zgjidhin martesën pas mosmarrëveshjeve të shumta dhe jetës së padurueshme në mes tyre. “Zakonisht mbahen seanca për tentativë pajtimi, por kur shqiptari i ka hyrë kësaj pune nuk ka kthim prapa”, thotë një punonjëse e Gjykatës. Ndërsa Ratkoceri tregon edhe për raste të tjera: “Ka ndodhur që burri është ndarë nga gruaja dhe familja në Kosovë për t’u martuar me ndonjë shtetase të huaj diku në perëndim, dhe për të fituar nënshtetësinë e atij shteti vetëm për të mbajtur me bukë familjen e lënë në Kosovë.” Dukuria e largimit të njërit prej bashkëshortëve në mërgim ka filluar në fillim të viteve 90, megjithëse numri i madh i shkurorëzimeve nuk ka arritur asnjeherë një nivel të lartë sa sot, thotë një zyrtarë në Gjykatën e Prishtinës.

Kush e nxit rritjen e numrit të shkurorëzimeve
Numri i shkurorëzimeve në botë është një dukuri në rritje, ku SHBA-ja zë ndër vendet e para me afër një prishje të martesës në një kurrorëzim. “Shkurorëzimi në Kosovë është tregues i zhvillimit të shoqërisë, por edhe i problemeve të saj të shumta”, thotë psikologu Kreshnik Xharra. Sipas tij, dinamizmi që ka përfshirë shoqërinë kosovare, transicioni që po kalon ajo në vendosjen e vlerave të reja kulturore është faktor, ndërsa vetë punësimi e femrës që e bën atë më të pavarur plotëson gjithashtu një kriter më tepër drejt zhvillimit të kësaj dukurie. Por këto shifra të publikuara për numrin e madh të shkurorëzimeve tek ne mund të jenë edhe më të larta, sipas mendimit të psikologut. “Femrat tona ndihen të pafuqishme në kërkesën për shkurorëzim ngaqë atë e pengojnë rrethi, familja, fëmijët të cilët janë pjesë kolektivizmit me të cilët faktorë femra jonë është mësuar që në fëmijëri t’i kushtojë rëndësi”, thotë psikologu Xharra. Transicionin që po kalon shoqëria kosovare, i cili po na çon nga kultura kolektive në atë individualiste ndikon drejtpërdrejt në rritjen e numrit të shkurorëzimeve, shton ai. Ndërsa nga ana tjetër gjykatësi Ratkoceri, i cili merret me qindra raste të kësaj dukurie në rritje, thotë: “Me futjen e mendësisë perëndimore njerëzit mendojnë se është emancipim. Por duhet të kalojë kohë për t’u hequr adetet tona të vjetra, të cilat nuk mund të ndryshojnë brenda disa muajve”.

Komentoni artikullin/lajmin e mësipërm:
Emri dhe Mbiemri:
E-Mail:
Komenti juaj:  
 
KeL - Kosova e lirë - www.kosovaelire.com
KeL - Kosova e lirë